20 milion lekë/ U plagos rëndë në lumin Buna duke u larë, qeveria mbulon shpenzimet e mjekimit për kirurgun e QSUT-së
Këshilli i Ministrave ka vendosur të mbulojë shpenzimet e mjekimit për kirurgun e njohur të QSUT-së, Prof. Dr. Arvin Dibra, i cili u lëndua rëndë gushtin e kaluar pasi u hodh për t’u larë në lumin Buna dhe u përplas me gurët në thellësi.
Vendimi, i marrë sot, parashikon 2 milionë lekë të reja për të mbuluar trajtimin e mjekut, i cili pasi mori ndihmën e parë në Shqipëri, udhëtoi drejt Italisë për ndërhyrje të specializuara. Ai pësoi dëmtime të rënda në qafë dhe shtyllën kurrizore, por fatmirësisht ka shënuar përmirësime pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
Sipas vendimit zyrtar të Këshillit të Ministrave, fondi prej 2 milionë lekësh do të mbulohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa pagesat do të kryhen në bazë të faturave të paraqitura nga spitali ku Dibra po trajtohet.
Prof. Dr. Arvin Dibra është një figurë e njohur në fushën e mjekësisë në Shqipëri, Shef i Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT dhe Drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.