“2 pikë për një vrasje, 6 për një rob lufte” – Ukraina kthen luftën në një “lojë shpërblimesh” për të motivuar ushtarët në front

Ukraina ka krijuar një nga sistemet më të pazakonta dhe inovative të motivimit ushtarak në historinë moderne të luftës: një skemë pikësh për vrasje, dëmtime dhe kapje të forcave ruse, që më pas konvertohen në shpërblime reale për ushtarët në terren.

I quajtur “Ushtria e Droneve: Bonus” ose thjesht “e-pika”, ky sistem u testua për herë të parë vitin e kaluar dhe është kthyer në një element kyç të strategjisë së luftës së Ukrainës. Çdo objektiv i goditur – qoftë tank, sistem raketor apo ushtar rus – i jep pikë njësive përkatëse, që më pas mund t’i përdorin në një treg virtual ushtarak, i ngjashëm me “Amazon për luftë”, për të blerë dronë, komponentë, pajisje mbrojtëse dhe deri automjete pa pilot.

Sipas Ministrit të Transformimit Dixhital të Ukrainës, Mykhailo Fedorov:

“Ky është një sistem që jo vetëm jep të dhëna të sakta për vendimmarrje strategjike, por rrit motivimin e ushtarëve në terren. Kur ndryshojmë vlerat e pikëve, shohim se si ndryshon edhe motivimi i njësive.”

Si funksionon skema?

Çdo goditje dokumentohet përmes videove nga dronë dhe dërgohet në Kiev, ku analistët e verifikojnë dhe llogarisin pikët:

-1 ushtar i vrarë = 2 pikë (aktualisht 6, për shkak të ndryshimit të taktikave ruse)

-1 rob lufte i kapur = deri në 20 pikë

-1 tank i shkatërruar = 40 pikë

-1 sistem raketor i goditur = deri në 50 pikë

-1 dron armik i asgjësuar = më pak se operatori i tij

Njësitë e vijës së parë pretendojnë se ky sistem po funksionon si një mënyrë për të balancuar mungesat e pajisjeve dhe për të mbuluar shpenzimet e luftës, duke ndihmuar njëkohësisht edhe në ruajtjen e moralit.

“Kjo është një mënyrë për të kompensuar humbjet që kemi në terren, ndërsa i shkaktojmë dëme armikut,” – thotë Volodymyr, ushtar nga Brigada e 108-të e Mbrojtjes Territoriale.

Tregu “Brave 1”: Amazon-i i Luftës

Të gjitha pikët e fituara mund të përdoren në një platformë online të quajtur “Brave 1 Market”, ku ushtarët zgjedhin mes mbi 1,600 produkteve – nga dronët, tek pajisje taktike dhe UGV që evakuojnë të plagosurit nga fronti.

Ministria e Mbrojtjes mbulon pagesat, ndërsa ushtarët lënë vlerësime për produktet, sikurse në platformat tradicionale të tregtisë online.

Megjithëse shumë ushtarë e vlerësojnë sistemin si motivues dhe praktik, disa e kanë quajtur moralisht të dyshimtë.

“Ky sistem është thjesht një reflektim i një kulture që e sheh gjithçka si fitim – madje edhe vdekjen tonë të mallkuar,” – u shpreh Dymytro, një tjetër ushtar.

Disa kanë ngritur shqetësime se njësitë konkurojnë për të marrë meritat e goditjeve ose qëllimisht sulmojnë mjete të dëmtuara për të grumbulluar më shumë pikë.

Megjithë debatet, rreth 90–95% e njësive luftarake të Ukrainës tashmë janë pjesë e këtij sistemi. Komandantët e përshkruajnë si një mjet të fuqishëm jo vetëm për të motivuar, por edhe për të analizuar sjelljen taktike dhe rezultatet e betejave.