2 mijë banorë në Proptisht pa energji elektrike prej 24 orësh

Prej më shumë se 24 orësh, rreth 2 mijë banorë të 12 fshatrave të njësisë administrative Proptisht në Bashkinë e Pogradecit janë duke përballuar mungesën e energjisë elektrike.

Kushtet e vështira atmosferike, me një trashësi dëbore që arrin deri në 1 metër, dhe terreni malor i thyer e kanë bërë tepër të vështirë punën e grupeve të OSHEE për gjetjen e defektit. Linja elektrike që furnizon këto fshatra është shumë e gjatë, pasi ato marrin energji nga nënstacioni i Prrenjasit, duke shtuar edhe më tej vështirësitë për rikthimin e energjisë.

Probleme me furnizimin me energji elektrike gjatë këtyre ditëve të fundit janë raportuar gjithashtu në disa fshatra të bashkive të Kolonjës, Maliqit, Korçës dhe Devollit, ku reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë.

Banorët e prekur kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e energjisë në këto temperatura të ulëta, duke bërë thirrje për ndërhyrje sa më të shpejtë nga autoritetet. Ndërkohë, OSHEE ka deklaruar se grupet e punës vijojnë të jenë në terren për të identifikuar dhe riparuar defektin.