18-vjeçari shqiptar humb jetën pas sfidës së rrezikshme në TikTok, familjarët kërkojnë drejtësi: Duam të dimë të vërtetën

Prokuroria e Trevisos në Itali ka kërkuar gjyq për Andrea Kovacajn, 20-vjeçarin shqiptar nga Ormelle, i cili akuzohet për vrasje në rrugë pas vdekjes së Lorenzo Pjetrushit, 19-vjeçarit shqiptar që humbi jetën pas një incidenti të rëndë gjatë një sfide të rrezikshme në TikTok.

Ngjarja tragjike ndodhi natën e 20 janarit 2024 në një parking pranë fushave të sportit në Cimadolmo, ku Pjetrushi ishte ngjitur në kofanon e makinës së Kovacajt në lëvizje.

Sipas akuzës së ngritur nga zv/prokurorja Barbara Sabattini, Kovacaj lejoi Pjetrushin të qëndronte në kofanon e makinës së tij dhe më pas lëvizi për rreth 50 metra me shpejtësi 15-20 kilometra në orë. Në momentin që ndaloi, Pjetrushi rrëshqiti dhe përfundoi nën makinë, duke pësuar dëmtime të rënda që i morën jetën në spitalin e Trevisos pas nëntë ditësh në gjendje kritike.

Policia e Sano Polo di Piave, që po heton çështjen, ka konfirmuar se atë mbrëmje, një grup të rinjsh, përfshirë Kovacajn dhe Pjetrushin, ishin mbledhur për të festuar ditëlindjen e një kushëriri të viktimës. Gjatë kësaj kohe, Pjetrushi kishte hipur mbi kofanon e makinës, një veprim që përputhet me një nga sfidat e rrezikshme të TikTok, ku të rinjtë qëndrojnë në këmbë mbi kofanon e makinës në lëvizje, duke rrezikuar jetën e tyre.

Pas aksidentit, të rinjtë që ndodheshin në vendngjarje tentuan t’i japin ndihmën e parë Pjetrushit, i cili kishte ngecur poshtë makinës, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, ai ndërroi jetë në spital pas disa ditësh për shkak të dëmtimeve të shumta.

Familjarët e viktimës, të tronditur nga humbja, kanë bërë thirrje për drejtësi, duke kërkuar që të zbardhet e vërteta e plotë e asaj nate tragjike. “Duam të dimë të vërtetën dhe të kemi drejtësi. Nuk jemi të interesuar në aspektet ekonomike të çështjes,” janë shprehur ata.