17 vjet shtet! Kosova feston pavarësinë

Kosova shënon sot 17 vjet nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Për të shënuar këtë përvjetor, gjatë ditës priten një sërë aktivitetesh dhe organizimesh, përfshirë mbledhjen festive të Qeverisë dhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kjo ditë e gjen Kosovën në një periudhë të rëndësishme politike, pasi vendi sapo ka përfunduar procesin zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja. Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, por pa arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e vetme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur një ditë më parë se ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në këtë mesazh, Trump përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin e saj drejt pavarësisë dhe thekson marrëdhëniet e forta mes dy vendeve, duke përmendur mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik.

Në vitet e fundit, marrëdhëniet e Qeverisë Kurti me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian kanë kaluar nëpër sfida, kryesisht për shkak të vendimeve të Kosovës lidhur me komunitetin serb. Ndër masat e marra nga Qeveria janë ndalimi i dinarit serb dhe mbyllja e institucioneve të Serbisë që operonin në Kosovë. Këto veprime janë kundërshtuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe kanë sjellë disa masa ndëshkuese nga BE-ja.

Sot, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është njohur nga rreth 117 vende dhe është anëtare e organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, UEFA dhe FIFA. Megjithatë, mbetet jashtë Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.