17 vite nga tragjedia e Gërdecit, Zamira Durda: Fatmir Mediu na kërcënoi në sallën e gjyqit

Kanë kaluar 17 vite nga tragjedia e Gërdecit, por Zamira Durda, e cila humbi djalin e saj 6-vjeçar në shpërthimin e 15 marsit 2008, vazhdon të kërkojë drejtësi. Ajo ka qenë e pranishme në çdo seancë gjyqësore që nga viti 2021, kur SPAK kërkoi rihapjen e çështjes, dhe është përballur drejtpërdrejt me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Në një deklaratë publike, Durda ka denoncuar një kërcënim të drejtpërdrejtë nga Mediu gjatë një seance gjyqësore.

“Ngriti zërin i pandehuri, na u ngrit drejtpërdrejt dhe na tha ‘mbylleni gojën’. Është e tmerrshme. Na kërcënoi, na u hakërrye në sallën e gjyqit,” – tha ajo.

Durda thekson se procesi po zvarritet prej dy vitesh dhe viktimat trajtohen pa të drejta në sallën e gjyqit.

“Vetëm i pandehuri ka të drejtë. Ne nuk mund të flasim. Nëse flasim, do të na nxjerrin jashtë,” – shprehet ajo.

Seanca e fundit u mbajt më 4 mars, por u shty për shkak të angazhimeve të prokurorëve Arben Kraja dhe Klodian Braho në procese të tjera gjyqësore.

Nga ana tjetër, Mediu ka kundërshtuar gjetjet e ekspertëve ushtarakë mbi masat që duhej të ishin marrë për demontimin e municioneve në Gërdec. Ai dhe mbrojtja e tij kanë paraqitur një material prej 147 faqesh, përmes të cilit kundërshtojnë përfundimet e ekspertizës.

Në tetor të vitit të kaluar, GJKKO refuzoi kërkesën e tij për një riekspertim të pjesshëm mbi kostot e dëmit financiar të shkaktuar në fabrikën e demontimit. SPAK pretendon se nga akti i ekspertimit financiar rezulton qartë se veprimet dhe mosveprimet e Mediut provuan shpërdorimin e detyrës.

Rihapja e çështjes ndaj tij u mundësua pas 12 vitesh, kur SPAK konstatoi se pas ndryshimeve ligjore të viteve 2012 dhe 2017, Mediu nuk gëzon më imunitet parlamentar, çka e bën të mundur ndjekjen penale ndaj tij. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008, që shkaktoi 26 viktima dhe qindra të plagosur.