17 vite nga tragjedia e Gërdecit, 26 viktima dhe 300 të plagosur! Drejtësia ende e vonuar për viktimat

Sot shënohen 17 vite nga shpërthimi tragjik në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Ngjarja e rëndë, e ndodhur më 15 mars 2008, shkaktoi shkatërrime masive në zonë, duke lënë pasoja të rënda për banorët.

Pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar, procesi gjyqësor për përgjegjësit ka vijuar me vonesa. Vetëm pas më shumë se një dekade e gjysmë, SPAK ka dorëzuar dosjen në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ai u rikthye në Gjykatë pas një denoncimi të bërë nga një familje e viktimave të Gërdecit, e cila vijon të kërkojë drejtësi për tragjedinë që tronditi vendin më 15 mars 2008.