17 kg kokainë nga Amerika Latine drejt Athinës, arrestohen dy shqiptarë – një tjetër në kërkim

Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka sekuestruar 17 kg kokainë të pastër të ardhur nga Amerika Latine me destinacion Athinën. Droga ishte transportuar përmes një aeroporti europian, por shërbimet greke ishin informuar paraprakisht dhe organizuan operacionin e arrestimit.

I pari që u ndalua ishte Josif Samka, 30 vjeç, i dënuar më parë për trafik droge. Pasi zbriti nga avioni dhe mori dy valixhet e tij, ai u ndoq nga policia deri në momentin kur u takua me Pajtim Gëzim Kaleshin, 27 vjeç. Të dy hipën në një automjet, ku policia ndërhyri duke i prangosur menjëherë.

Gjatë kontrollit të valixheve u gjetën 16 pako me kokainë me peshë totale 17 kg, një celular dhe 590 euro cash. Hetimet zbuluan edhe një të dyshuar tjetër, një shqiptar me inicialet A.S., i cili është shpallur në kërkim.

Autoritetet dyshojnë se organizata kriminale ka kryer edhe më parë trafik droge në sasi më të vogla. Dy të arrestuarit do të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.