15 bashki përballen me zjarret në vend, dy vatra mbeten aktive
Ministria e Mbrojtjes njofton për 18 vatra zjarri të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në 15 bashki të ndryshme, ku dy prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe dy nën monitorim të vazhdueshëm.
Zjarri më i madh vazhdon në zonën e “Liqenit të Luleve” në Parkun Kombëtar Lurë, ku po punojnë 6 zjarrfikës, 5 forca pyjore, 20 punonjës bashkie, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter Cougar, duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh.
Në bashkinë Rrogozhinë, zjarri në fshatin Zambish, që përfshiu edhe fshatrat përreth, është i vështirë për t’u shuar për shkak të erës, ndërsa punojnë zjarrfikës, forca bashkiake, vullnetarë dhe Forcat e Armatosura me mbështetje ajrore.
Situata në bashkinë Kurbin, në kufirin midis fshatrave Skuraj dhe Gallatë, vazhdon nën monitorim, ndërsa në Librazhd një vatër me intensitet të ulët është nën kontroll.
Në total, janë djegur rreth 79 hektarë kryesisht me bimësi dhe shkurre, ndërsa një zjarri i vetëm ka prekur një shtëpi private në bashkinë Mirditë, ku janë dëmtuar kuzhina dhe salloni.
Në operacionet e fikjes së zjarreve janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 268 forca operacionale, përfshirë 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë Cougar.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në Shkodër, ndërsa në qarqet e tjera nuk priten reshje, por mbetet rreziku i lartë i zjarreve në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat.