143 ditë në vapë! Tirana ndër qytetet më të nxehta në Evropë
Moti i nxehtë i zgjatur po e transformon qytetet evropiane, ndërsa temperaturat mbi 32°C vazhdojnë deri në vjeshtë.
Me rritjen e vazhdueshme të temperaturave globale, qytetet evropiane po përjetojnë periudha ekstreme nxehtësie që zgjasin shumë më tepër se muajt tradicionalë të verës. Disa qytete në Evropë tani përballen me temperatura të larta deri në pesë muaj në vit, thuhet sipas një studimi të ri nga organizata “Climate Resilience for All”.
Studimi është përqendruar te dita e parë dhe e fundit kur secili qytet ka arritur temperaturën 32°C një prag që konsiderohet si nxehtësi ekstreme që paraqet rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin. Ata zbuluan se të ashtuquajturat “sezone të nxehtësisë” nuk kufizohen më vetëm në muajt e verës, por tani zgjasin shumë më gjatë. Sipas ekipit të udhëhequr nga shkencëtari i klimës Dr. Larry Kalkstein, sezoni i nxehtësisë mesatarisht zgjat 214 ditë në qytetet e analizuara.
Ku në Evropë zgjat më shumë sezoni i nxehtësisë?
Në Evropë, sezoni i nxehtësisë tashmë shtrihet përtej asaj që dikur konsiderohej verë. Studimi tregon se Athina në Greqi tani ka një nga sezonet më të gjata të nxehtësisë në kontinent, me temperatura të larta që zgjasin rreth 145 ditë, nga mesi i majit deri në fillim të tetorit. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, renditet e dyta në listën e “Climate Resilience for All” me 143 ditë nxehtësi ekstreme.
Në Portugali, sezoni i nxehtësisë në Lisbonë zgjat rreth 136 ditë, nga fundi i pranverës deri në fillim të vjeshtës. Madridi në Spanjë përjeton një sezon nxehtësie prej 119 ditësh, nga fundi i majit deri në mes të shtatorit.
Zyrtarët e Parisit po përgatiten për një rritje prej 4°C të temperaturave, por kryeqyteti francez tashmë po përjeton gati tre muaj nxehtësi ekstreme, me temperatura mbi 32°C nga mesi i qershorit deri në mesin e shtatorit. Mynihu dhe Varshava kanë sezone më të shkurtra, por sërish të konsiderueshme, që zgjasin rreth një ose dy muaj.
Evropa është ndër rajonet që tashmë po përjeton pasojat më të dukshme dhe më vdekjeprurëse të ngrohjes globale. Periudhat e zgjatura të nxehtësisë tregojnë qartë se si po ndryshon klima e kontinentit dhe sfidat për shëndetin dhe infrastrukturën që vijnë me të./ Euronews.