“13 predha goditën makinën tonë” – dëshmia e Arjan Ndoja për atentatin në Shkozet: U rrëzova në tokë…
Ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, është paraqitur sot në SPAK për të dëshmuar në gjyqin lidhur me atentatin e vitit 2019 ndaj tij në mbikalimin e Shkozetit, ku makina e tij u qëllua me rreth 13 plumba dhe shoferi i tij humbi jetën.
Në dëshminë e tij, Ndoja tha:
“Kam banuar në Tiranë dhe kam punuar në Durrës. Gjatë gushtit kam banuar në Shëngjin, ku kam një shtëpi dhe kemi pasur një makinë Mercedes në përdorim. Automjetin e drejtoja unë dhe bashkëshortja. Në tetor kam punësuar një djalë që nuk jeton më, i cili ka qëndruar me mua për rreth një muaj.”
Ai mohoi që të kishte pasur probleme gjatë vitit 2019, përveç sulmit:
“Më 1 nëntor dilja si çdo ditë për në punë, shkoja direkt në zyrë në orën 12:00, kam lëvizur për një drekë dhe kam qëndruar deri rreth orës 16:00. Në automjet ishim unë dhe i ndjeri.”
Ndoja tregoi se gjatë drekës ishin Aleksandër Laho, Enver Shaba dhe një shok i tyre, si dhe:
“Rreth orës 16:00 makina qëndronte e parkuar afër lokalit. Drejtues ishte Andi Maloku, unë isha pasagjer dhe në makinë ishte edhe Plarent Muharremi.”
Ai tha se kishin parë disa persona pranë parkimit dhe qëndruan rreth 6 minuta duke biseduar. Kur nisën, sapo kaluan karburantin, nisën të shtënat.
“Plumbat vinin nga pas, nuk arritëm ta shihnim makinën që qëllonte pasi nuk mund të shihej. Ishin dy armë, me një prej tyre qëllime të shumta dhe me tjetrën më të pakta, nuk ishte breshëri, vetëm në sediljen time kishte 13 predha. Po lëviznim me 60-70 km/orë dhe në momentin e fundit u rrit shpejtësia.”
Ai tha se 3 minuta pasi doli nga makina kishte humbur ndjenjat dhe kishte marrë plagë në qafë. Shoferi, i ndjeri, kishte plagë në shpinë dhe kishte telefonuar babanë e tij.
“Vendi i ngjarjes është mbikalimi i Shkozetit në krahun e djathtë. Nuk di kush më ka qëlluar, nuk kam borxh askujt dhe nuk i kam rënë askujt në qafë.”
Në pyetjen e prokurorit nëse i njihte të pandehurit, Ndoja tha:
“Fizikisht kam takuar vetëm Plarent Dervishajn për babanë e tij. Babain e Julian Meçajt e njoh dhe kam marrëdhënie të mira, ai ka punuar me ne. Dua të di arsyen e ngjarjes, nëse i kam borxh dikujt dua t’i shlyej.”
Ai shtoi se me Aleksandër Lahon kishte pasur kontakte disa vite më parë, por nuk kishte asnjë kontakt aktual. Me Genc Malokun kishte marrëdhënie të mira dhe e takonte edhe sot. Me Dorian Shaban nuk kishte pasur asnjë kontakt dhe nuk kishte biseduar për ngjarjen.
“Unë nuk kam marrëdhënie shoqërore me Plarent Dervishajn dhe e njoh vetëm fizikisht, por nuk kam asnjë lidhje me të. Le të flasë edhe vetë.”
Ndoja foli edhe për persona të tjerë:
“Shtetasin Halit Valteri e njoh si figurë publike, e kam parë në televizor duke nxjerrë një video nga pika e shtjellimit të materialeve të ndërtimit që supozohet të jetë video e autorëve pasi dogjën makinën e krimit. Basri Meçen e kam takuar te një notere dhe kam biseduar për një informacion që më kishte ardhur për një ngjarje ku flitej se ishte i përfshirë edhe djali i tij. I thashë nëse është i përfshirë, kjo është e rëndë, dhe nëse jo, atëherë është intrigë dhe i kërkova të largoje djalin, sepse ata që bëjnë ato gjëra nuk mund të na rrezikonin. Te pandehurit e tjerë nuk i njoh, përveç Bashkim Haxhias, që e kam dëgjuar si person të hetuar në një gjykim tjetër.”