111- vjetori i Pavarësisë! Për herë të parë zhvillohet ‘Parada e shqiptarëve’ (Video)
111 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e shtetit shqiptar.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës, mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshoj vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.
Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike. Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.
Këtë 28 nëntor, Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët shqiptare”, Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës dhe Arkivin e Shtetit sjellin për herë të parë në Tiranë “Paradën e Shqiptarëve”, nën emrin “Rrënjët Kuq e Zi.
E frymëzuar nga iniciativa një grupi të rinjsh të diasporës shqiptare, parada Shqiptare është një aktivitet i përvitshëm i organizuar nga organizata “Rrënjët Shqiptare”, si një ndër organizatorët kryesorë dhe bartësit e saj në këto 15 vitet e fundit, ku një nga sheshet kryesore të New York-ut vishet kuq e zi.
Parada të fillojë në orën 11:00. Parakalimi fillon nga sheshi “Nënë Tereza”, si pika e grumbullimit, për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”. Aty do të jetë ngritja ceremoniale e flamurit.Ky aktivitet, do të zërë vend për herë të parë edhe në Tiranë, për të shënuar fillimin e një tradite të përvitshme.