100 vitet e Kadri Roshit!

Emisioni “Profil” këtë javë solli një dokumentar për jetën dhe karrierën e artistit te madh Kadri Roshi në 100 vjetorin e lindjes së tij. Gazetarja Greta Topjana ka intervistuar familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij që e kujtojnë jo vetëm si kolosin e kinematografisë dhe skenës por edhe si njeriun e zemrës.

Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastres, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit.Ai mbeti jetim në moshë të vogël nga të dy prinderit. Pasi mbaroi studimet e larta në Zagreb të Kroacise, në moshën 21-vjeçare nisi karrierën si aktor në Teatrin Popullor dhe nga ajo kohë numëron rreth 180 role në skenë dhe mbi 36 në kinematografi..
Ende sot mbahen mend personazhet që ka luajtur në filmat “Lulëkuqet mbi mure”, “I teti në Bronx”, “Gjeneral Gramafoni”, “Njeriu me top”, “Malet me Blerim mbuluar”, “Përballimi”, “Këshilltarët”, e shumë e shumë të tjerë.

Në këtë dokumentar kanë folur familjarët e tij të cilët kanë treguar të pathënat për Kadri Roshin si baba, si gjysh por edhe vjerr. Djali i tij Kliti Roshi foli për “Profil” duke treguar se Kadri Roshi i nxirrte ujë të zi atij dhe motrës së tij vetëm për shkollën. Sipas tij Kadri Roshi e vlerësonte shumë arsimin dhe kulturën e kishte merak që edhe fëmijët të ishin të përkushtuar në këtë drejtim.

Kliti Roshi nuk la pa permendur edhe pengun e babait të tij, që ishte të luante Ali Pashë Tepelenën por edhe që i vodhën “Arturo UI” një vepër që Kadri Roshi e kishte përzemër.

Një tjetër familjare që ka folur për herë të parë pë marrëdhënien e saj me Kadri Roshin, është mbesa e tij, Xheni Demi, vajza e vajzës së tij. Ajo mes shumë emocionesh tregoi për marrëdhënien e ngushtë që ka pasur me gjyshin e saj. Xheni tregoi që gjyshi i saj, Kadri Roshi e ka shoqëruar atë në çdo hap dhe është rritur me dashurinë ë tij, ai e çonte në shkollë, i ka mësuar orën për herë te parë, për të ai ishte gjyshi më i mirë në botë!
Në rrëfimin e saj për “Profil” Xheni tregoi edhe për momentet e fundit të Kadri Roshit, të cilat i kaloi në shtëpinë e saj duke na rrëfyer edhe cilat ishin fjalët e fundit:

“Unë iki i plotësuar, kam marrë çdo gjë nga kjo jetë!” me këto fjalë janë ndarë familjarët e Kadri Roshit nga ai… Por edhe pse Kadri Roshi është ndarë nga jeta, e mbesa na tregon që për të gjyshi i saj është kudo me veprën që ka lënë pas dhe me njerëzit që e kujtojnë.

Po ashtu miqtë dhe bashkëpunëtorët e Kadri Roshit si Rajmonda Bulku, Luftar Paja, Agron Llkaj, Drande Xhaj, Zhani Ciko etj ndanë kujtimet e tyre me Kadriun si mik por edhe gjeniun e skenës dhe kinematografisë./Euronews