10 orë debat! Mes tensionesh hapet gara për kreun e PD! Bardhi e deputetët braktisin mbledhjen, Tabaku jep dorëheqjen nga posti i nënkryetare
Pas 10 orësh debate e tension, Kryesia e Partisë Demokratike doli me vendimin për hapjen e garës për kreun e ri të partisë. Me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, Kryesia vendosi që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik, në kushtet kur edhe Jorida Tabaku refuzoi drejtimin e partisë.
Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku raporton se deputetët kanë braktisur mbledhjen, pasi ata kanë kërkuar që fillimisht të mbahen zgjedhjet në bazë, e më pas të caktohet kryetari i ri. Orët e fundit të mbledhjes u shoqëruan edhe me tensione dhe tone të larta. Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati, Dhurata Çupi ishin deputetë që braktisën të parët mbledhjen e Kryesisë, rreth orës 01:00 të mesnatës. Gjatë largimit nga mbledhja, deputetët janë sharë dhe ofenduar nga militantët që ishin mbledhur para selisë blu. Nga ana tjetër, anëtarët e tjerë të Kryesisë u kërkuan deputetëve llogari se përse nuk kanë qenë aktivë në fushatën për zgjehdjet e 14 majit, sidomos në atë të Tiranës.
Largimin e deputetëve nga mbledhja, ish-kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko e ka cilësuar thikë pas shpine. Ndërkohë, anëtarja e Kryesisë, Jonila Godole tha se është një veprim i nxituat pasi fillimisht duhet një analizë në bazë për situatën në të cilën ndodhet partia.
“Kur u largua sekretari i përgjithshëm nuk e mora vesh sesi iku. Veprimi që u bë ishte i tillë, nëse nuk merrem parasysh “çohem dhe iki”. Braktisja e mbledhjeve nga ana e deputetëve ishte i tillë. Është thikë pas shpine për PD”, tha Bejko.
Pas hapjes së garës, pritet me interes vendimi i Lulzim Bashës nëse do të kandidojë sërish për drejtimin e Partisë Demokratike, duke pasur parasysh që tashmë ai është kthyer në politikën aktive dhe largimin e tij e arsyeton si veprim që të tërhiqej Berisha. Kryesia ka lënë afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturat për kreun e PD-së, ndërsa kandidatët do të kenë rreth 1 muaj afat për të bërë fushatë zgjedhore. Konkretisht nga data 24 qershor deri më 27 korrik dhe më pas mbahen zgjedhjet.
Deri më 15 korrik, çdo degë e Partisë Demokratike, duhet të evidentojë anëtarët me të drejtë vote. Më pas, për të miratuar këto zgjedhje, brenda muajit shtator duhet të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së.
Çfarë kërkojnë deputetët e PD
Grupi i PD parashtroi platformën me 5 pika ku përfshihen dhe hapat që sipas tyre do të sjellin procesin e riorganizimit brenda PD. Krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa:
– Hapi i parë: Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarsisë aktuale;
– Hapi i dytë: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege;
– Hapi i tretë : Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.
Si u votua
Pro:
- 1. Enkelejd Alibeaj
- 2. Flutura Açka
- 3. Jemin Gjana
- 4. Taulant Zeneli
- 5. Endri Hasa
- 6. Indrit Sefa
- 7. Kreshnik Çollaku
- 8. Roland Bejko
- 9. Gentian Gaba
- 10. Agron Kapllanaj
- 11. Arbi Agalliu
- 12. Fitim Zekthi
- 13. gazmend koduzi
- 14. Merita Bakiu
- 15. Orjola Pampuri
- 16. Taulanda Jupi
- 17. Xhemal Gjunkshi
- Kundër: Jonila Godole dhe Flamur Hoxha
- Abstenim: Jorida Tabaku, Juela Hamati dhe Oriela Nebiaj
Burimi: Shqiptarja.com