Përplasja mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, dy prej emrave më të bujshëm të botës së krimit në Shqipëri, duket se ka kulmuar me një përpjekje të hapur për eliminim. Nga ortakë në biznesin e lojërave të fatit, ata u kthyen në armiq të përbetuar, me Duka që dyshohet se ofroi deri në 10 milionë euro për vrasjen e Martinajt.
Sipas dosjeve hetimore, Leonard Duka, kreu i klanit “Duka”, nuk u ndal vetëm te zhdukja e Martinajt, por nisi edhe një hakmarrje të egër ndaj njerëzve të tij të afërt. Një nga viktimat e kësaj lufte ishte Santiago Malko, krah i djathtë i Martinajt, për vrasjen e të cilit Duka akuzohet si porositës kryesor.
Për gjetjen dhe ekzekutimin e Martinajt, Duka thuhet se kishte vënë në dispozicion 2 milionë euro për informacion dhe 10 milionë euro për vrasjen e tij. Këto shuma të mëdha parash bënë që shumë vrasës me pagesë të afrohen me klanin “Duka”, duke marrë përsipër eliminimin e bosit të lojërave të fatit.
Në këtë rrjet të errët del edhe emri i ish-Miss Universe Albania, Trejsi Sejdini, e cila përflitet për lidhje të ngushta me Leonard Dukën. Dokumentet hetimore zbulojnë se Duka i kishte dhënë porosi një prej njerëzve të tij, Drianto Bardhit, që t’i dërgonte 500 dollarë Sejdinit në New York përmes Western Union. Paratë janë dërguar në emër të Bardhit dhe janë tërhequr nga një mik i modeles, fotografi Klevin Halili.
Po ashtu, hetimet zbulojnë një udhëtim të përbashkët të Trejsi Sejdinit dhe Leonard Dukës në shkurt të vitit 2019, kur ata kanë kaluar bashkë në pikën kufitare të Morinës. Në atë kohë, Sejdinit iu sekuestrua edhe një automjet, i cili më pas u vu në dispozicion të Policisë Rrugore.
Leonard Duka mbetet një nga emrat kryesorë të krimit të organizuar në Shqipëri, i dyshuar për disa vrasje të bujshme, ndërsa zhdukja e Ervis Martinajt mbetet ende një nga misteret më të mëdha të viteve të fundit.