1 milion euro për vrasjen e Ardian Nikulajt, gjykata londineze miraton ekstradimin e “vëzhguesit” Steven Hunt
Gjykata e Ekstradimeve në Londër ka dhënë dritën jeshile për ekstradimin e Steven Hunt, një nga anëtarët e grupit të survejimit që ndihmoi në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Vendimi erdhi pas një kërkese nga drejtësia shqiptare për të sjellë Hunt në Shqipëri. Kjo është një tjetër fitore për autoritetet shqiptare pas ekstradimit të disa të dyshuarve, përfshirë Edmond Haxhiun dhe disa britanikë të tjerë, në lidhje me këtë ngjarje.
Avokatët e Steven Hunt u përpoqën të bllokojnë ekstradimin duke paraqitur një pretendim se ai vuante nga një sëmundje onkologjike, pasi ishte arrestuar disa muaj pas vrasjes së Nikulajt.
Gjykatësi Daniel Sternberg i Gjykatës së City of Westminster, megjithatë, vlerësoi se Shqipëria mund të sigurojë kushte të përshtatshme për trajtimin e tij mjekësor në burg.
Pas këtij vendimi, do të jetë Gjykata e Lartë e Londrës ajo që do të marrë fjalën e fundit për ekstradimin e Hunt dhe të tjerëve të akuzuar për vrasje në bashkëpunim, përfshirë Edmond Haxhinë, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman.
Prokuroria e Lezhës ka ngritur akuza për vrasje të porositur ndaj grupit dhe hetimet e mëtejshme po përqendrohen në identifikimin e porositësve të vrasjes.
Në dhjetor të vitit 2023, Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutues i vrasjes, u ekstradua nga Maroku dhe procesi gjyqësor ndaj tij ka nisur tashmë në Shqipëri.
Hetimet e bashkëpunimit ndërkombëtar sugjerojnë se kjo vrasje është financuar me rreth 1 milion euro nga ata që ishin në gjak me familjen Nikulaj.