Gener 2 “rrëmben” Ranën e Hedhun, do të ndërtojë fshat turistik me vila dhe hotele luksoze
Kompania Gener 2 do të angazhohet në ndërtimin e një fshati turistik në Veri të vendit, konkretisht në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.
Një projekt i dorëzuar pranë institucioneve që kërkon lejen për këtë projekt parashtron atë se çfarë përfaqëson projekti i pagëzuar si “Blue Borgo” Prona ku do të zhvillohet “Resorti Turistik Blue-Borgo” ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
“Masterplani i propozuar është projektuar që të jetë me densitet të ulët dhe të përqendruar në zonën e sheshtë të kontekstit. Ky vendim lejon që ekosistemet ekzistuese në shpatin e malit të jenë të paprekura. Ndërtesat akomoduese dhe ndërtesat me oborr të brendshëm me funksione të përziera variojnë nga 3 deri në 10 kate në lartësi. Ndërtesat e shërbimit janë 1 kat, hoteli 1 deri në 3 kate dhe ndërtesat e veçanta variojnë nga 1 deri në 3 kate. Në projekt janë edhe 7 ndërtesa të cilat janë 10 kate të larta secila” thuhet në dokument.
Dokumenti sqaron se fshati bregdetar përbëhet kryesisht nga ndërtesa rezidenciale me oborr të brendshëm.
Zona e projektit është pjesë e njësisë administrative Velipojë në rrethin e Shkodrës të Shqipërisë. Rruga kryesore në afërsi të projektit është rruga Velipojë – Shëngjin.Në raport sqarohet se me qëllim ndërtimin e projektit është parashikuar ndërtimi i rrugëve lidhëse të jashtme dhe të brendshme, shkruan monitor. Me qëllim hyrjen në zonën e projekti është parashikuar të ndërtohet rruga lidhëse me resortin me gjatësi 738 m.
