Thellohet bilanci i të vdekureve në Turqi e Siri/ Moti i keq vështirëson kërkimet
Gati 4,900 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë plagosur pas një tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë sipas zyrtarëve. Mijëra ndërtesa u shembën në të dy vendet dhe agjencitë e ndihmave janë veçanërisht të shqetësuara për Sirinë veriperëndimore. Numri i të vdekurve në Turqi u rrit në të paktën 3,381 ndërsa mbi 20 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Deri më tani, mbi 11,000 ndërtesa janë raportuar të dëmtuara në Turqi, ndërsa 25,000 ekipe kërkim-shpëtimi po punojnë në zonat e prekura.
Në Siri, numri i të vdekurve është rritur në 1,509 ndërsa mbi 3,548 persona janë raportuar gjithashtu të plagosur. OKB ka deklaruar se misioni i kërkim-shpëtimit në Siri po pengohej nga mungesa e pajisjeve dhe makinerive të rënda. Në vend janë dërguar ilaçe dhe pajisje mjekësore, dhe veçanërisht mjete për të riparuar rezervuarët e dëmtuar të ujit.
Spitalet në vend janë të mbingarkuar pasi viktimat kërkojnë ndihmë dhe ka shqetësim të veçantë për përhapjen e sëmundjeve, veçanërisht tek fëmijët, të cilët jetonin në kushte ekstreme.
Moti i ftohtë po pengon operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e dëmtuara nga tërmeti vdekjeprurës.