“E dhimbshme!” – Publikimi i fotove të autopsisë së Bobby Kennedy shkakton përçarje në familje! Vajza kundër, djali pro

Publikimi i fotove nga autopsia e senatorit Robert F. Kennedy, i njohur si Bobby Kennedy, ka nxitur një debat të fortë brenda familjes së tij, veçanërisht mes dy prej fëmijëve të tij: Kerry Kennedy dhe Robert Kennedy Jr., ish-ministër i Shëndetësisë në administratën e presidentit Donald Trump.

Fotot janë pjesë e një pakete dokumentesh të deklasifikuara për vrasjen e Bobby Kennedy, i cili u qëllua për vdekje më 5 qershor 1968 në Los Anxhelos, ndërkohë që po kandidonte për presidencën e SHBA. Publikimi i materialeve u bë të premten pas një urdhri ekzekutiv të firmosur nga presidenti Donald Trump menjëherë pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Kerry Kennedy: “Një dhimbje e re dhe e paimagjinueshme”

Vajza e Bobby Kennedy, Kerry, reagoi me indinjatë ndaj publikimit të fotove, duke e quajtur një akt që shkatërron imazhin që familja ka ruajtur për dekada.

“Nuk do ta shohim më babain siç e kujtojmë. Tani do të përballemi me pamjet makabre të trupit të tij të copëtuar nga autopsia”, shkroi ajo në platformën X, duke theksuar se kujtimi i të atit tashmë “do të bëhet edhe më i dhimbshëm në një mënyrë të re dhe të paimagjinueshme”.

Robert Kennedy Jr.: “Transparenca më e rëndësishme se interesi i familjes”

Në të kundërt, Robert Kennedy Jr., i cili ka qenë një kritik i versionit zyrtar për vrasjen e të atit, përkrahu publikimin e materialeve. Ai deklaroi për Washington Post se “interesi publik për transparencë të plotë është më i rëndësishëm se interesi i familjes sonë”.

Kennedy Jr. pranoi se ishte përballur me një “zgjedhje të vështirë” kur presidenti Trump e pyeti nëse duhet të publikoheshin edhe fotot e autopsisë. Ai shtoi se nuk beson se Sirhan Sirhan, emigranti palestinezo-jordanian i dënuar për vrasjen, është autori i vetëm i ngjarjes, duke lënë të kuptohet se ai dyshon për një komplot më të madh, ku mund të ketë qenë e përfshirë edhe CIA.

Publikimi u koordinua nga drejtoresha e Zyrës së Koordinimit të Shërbimeve Inteligjente të SHBA, Tulsi Gabbard, e cila deklaroi se “është koha të hidhet dritë përfundimisht mbi vrasjen e senatorit Kennedy”. Ajo shtoi se në dosjen e publikuar përfshihen 10.000 faqe dokumente, ndërsa 50.000 të tjera pritet të publikohen së shpejti nga arkivat e FBI-së dhe CIA-s.