Alarm nga RASFF! Në Shqipëri është shitur sheqer i kontaminuar me dioksid squfuri! Produkti u importua nga Holanda

Siguria ushqimore në Shqipëri vihet sërish në pikëpyetje, pas një njoftimi alarmant të bërë nga sistemi evropian RASFF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin). Më 10 prill 2025, RASFF raportoi praninë e një sasie sheqeri palmë të kontaminuar me alergenin dioksid squfuri mbi normat e lejuara, i cili është shitur në tregun shqiptar.

Bëhet fjalë për produktin “Palmsugar slices TD bg 200g”, me origjinë nga Tajlanda, i cili është importuar në Shqipëri nga Holanda. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në vendin tonë kanë hyrë 24 kg nga ky produkt dhe e gjithë sasia është shpërndarë dhe shitur.

“Me marrjen e njoftimit nga sistemi RASFF me datë 10.04.2025, AKU ka kryer verifikimet në terren, nga ku ka rezultuar se produkti me origjinë nga Tajlanda është importuar nga Holanda me datë 22.12.2024 në sasinë 24 kg. Nga verifikimi i gjurmueshmërisë, rezulton se subjekti nuk e kishte më në gjendje këtë produkt,” thuhet në njoftimin zyrtar të AKU.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se cilës kompani shqiptare i është shpërndarë ky produkt dhe cilët konsumatorë mund ta kenë blerë dhe konsumuar atë. AKU thotë se ka kryer njoftimin pranë RASFF, por nuk ka dhënë asnjë informacion për ndonjë masë konkrete apo paralajmërim për qytetarët që mund ta kenë konsumuar këtë produkt.

Dioksidi i squfurit, i njohur si një konservues që ndikon në zgjatjen e qëndrueshmërisë së ushqimeve, në nivele të larta mund të shkaktojë efekte anësore, sidomos te personat me alergji apo probleme me frymëmarrjen.