Kërkohej ndërkombëtarisht për trafik droge dhe prostitucion, arrestohet në Dibër Klodian Llomi! Familjarët sulmojnë policinë
Një ngjarje e tensionuar është shënuar në fshatin Kërçisht i Poshtëm të Dibrës, ku forcat operacionale të Policisë së Shtetit kanë arritur të arrestojnë një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa janë përballur me rezistencë të dhunshme nga familjarët e tij.
Në pranga ka rënë 34-vjeçari Klodian Llomi, i njohur edhe me mbiemrin Mazari, i cili ishte dënuar nga autoritetet italiane me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg për përfshirje në një organizatë kriminale, trafik të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai ishte arratisur drejt Shqipërisë dhe fshihej në zonën e thellë të Dibrës.
Operacioni i policisë për ndalimin e tij nuk ka qenë i lehtë. Në momentin që efektivët kanë shkuar për ta ndaluar, janë përballur me kundërshtime të ashpra nga babai dhe dy xhaxhallarët e të arrestuarit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj policëve dhe kanë dëmtuar edhe automjetin e forcave të rendit.
Për këtë arsye, përveç Klodian Llomit, janë arrestuar edhe babai i tij, Arshi Mazari, dhe dy xhaxhallarët, Aleksandër dhe Arjan Mazari. Ata do të përballen me akuza për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtim prone.
Ndërkohë, Klodian Llomi pritet të ekstradohet drejt Italisë, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit për krimet e rënda për të cilat ishte dënuar.