Karrocë “Lamborghini” me vlerë 5,500 euro për djalin që ende s’ka lindur, Dafina Zeqiri përballet me kritika të ashpra – reagon bashkëshorti: Ejani t’ju adoptoj për nga një Golf 2

Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri është vënë në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale pasi ka ndarë me ndjekësit një foto ku shihet një karrocë fëmijësh e markës “Lamborghini”, e vendosur pranë makinës së saj luksoze të po së njëjtës markë.

Karroca, e cila kushton plot 5,500 euro, është një dhuratë për djalin e tyre që pritet të vijë në jetë pas pak muajsh.

Reagimet në rrjet kanë qenë të shumta dhe shpeshherë kritike. Shumë komentues e kanë cilësuar këtë blerje si të tepruar dhe një shpenzim të panevojshëm, duke theksuar kontrastin mes luksit të ekspozuar dhe realitetit të vështirë ekonomik të shumë familjeve.

“Karrocë për fëmijë ‘lambo’ është e tepruar si pas meje, nuk do të thotë që ke para e që duhet t’i shpenzosh të gjitha, nuk ka kuptim, fëmijë është,” ka shkruar një ndjekës.

Por kritikat nuk kanë mbetur pa përgjigje. Bashkëshorti i Dafinës, Kreshnik Gjergji, ka reaguar me ironi ndaj ndjekësve:

“Krejt ju që po e luani ekspertin, nuk bën ashtu, nuk bën kështu, ejani ju adoptoj për nga një Golf 2 të kuq,” shkroi ai.

Polemikat vazhduan edhe më tej, kur një tjetër komentues tha:

“Mendjemadhësia ndonjëherë është shumë e keqe kur e tregon se kush je. Është e tepruar një karrocë fëmijësh kaq e shtrenjtë kur ka familje që nuk kanë fare.”

Edhe këtë herë, Kreshniku reagoi:

“Tash ata që nuk kanë, a mos me pas krejt a si ke dëshirë? Ata që nuk kanë, nuk ua kemi marrë ne. Ne me lekë tonat po jetojmë. Mos u merakosni ju hiç kush ka e kush nuk ka, ne ndihmat nuk i publikojmë.”