“Plumbi i Artë”/ Dumani: Suel Çela më porositi vrasjen e Lulëzim Mashës për 200 mijë euro, punën ia dhashë Henrik Hoxhës
Dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ka vijuar edhe sot në kuadër të hetimeve për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku janë përfshirë emra të njohur të botës së krimit në vend.
Në seancën e mbajtur, Dumani ka deklaruar se porosia për vrasjen e Lulëzim Mashës i ishte dhënë nga Suel Çela, fillimisht për një shumë prej 150 mijë eurosh, e më pas për 200 mijë. Sipas tij, ai nuk e ka kryer vetë atentatin, por ia ka deleguar Henrik Hoxhës, të cilit i ka dhënë edhe një shumë prej 10 mijë eurosh si paradhënie.
“Kur kam shkuar në Kosovë isha në kërkim për Dorian Shkozën dhe Anxhelo Avdinë. Henrikut i kam premtuar për vrasjen e Lulëzim Mashës 150 mijë euro. I dhashë 10 mijë euro si paradhënie. Porosinë e Suel Çelës e mora për interes, fillimisht për 150 mijë euro e pastaj për 200. Ai më tha që e kishte për persona të tjerë, por nuk më tregoi arsyen konkrete të vrasjes”, deklaroi Dumani.
Ai shtoi se kontaktin me Suel Çelën ia kishte bërë Fatmir Troplini dhe se për këtë atentat kishte komunikuar gjithashtu edhe me Aleksandër Bahon, i njohur si “Sakati”.
Ndërkohë Henrik Hoxha ka pohuar se porosia ishte fillimisht për djalin e Lulëzim Mashës, por pasi nuk u arrit të gjendej, objektivi u zhvendos tek vetë Masha. “Porosia ishte që ai të vinte në varrim. Ishte e dhënë nga Sakati, Aleksandër Baho”, është shprehur Hoxha.
Dumani ka rrëfyer gjithashtu se në aplikacionet e komunikimit të koduar si “Matrix” dhe “Sky ECC” përdorte pseudonimet “Alkatraz”, “Covid19” dhe “Toto Rina”. Ai tregoi se Henrikun e kishte regjistruar në Sky me pseudonimin “Baftjari”.
“Henrikut i dhashë mjete për këtë punë – një Golf 4, dy armë, një ‘UZI’ dhe një pistoletë 19 mm. Në Kosovë kam takuar edhe Aleksandër Bahon disa herë. Erdhi me një CLS, një Audi A8… edhe për qejf, edhe për punë. Porosia për Mashën më është dhënë nga Suel Çela, por kam folur për të edhe me Bahon”, përfundoi Dumani.