Arratisje si në filma! “Shqiponjat” arrestojnë “skifterat” pas 2 orësh ndjekje

Një skenë si nëpër filma ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë, ku forcat “Shqiponja” kanë ndjekur për rreth dy orë dy persona.

Eneriko Zyle, 50 vjeç, i shpallur në kërkim për disa vjedhje dhe Enis Tela, 37 vjeç qarkullonin me automjet të vjedhur dhe nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.

Brenda në makinë ata mbanin kokainë dhe armë të ftohtë dhe gjatë tentativës për t’i ikur policisë në Babrru, kanë përplasur një automjet të policisë së shtetit.

Nga përplasja janë lënduar lehtë dy efektivë që ndodheshin brenda.

Pas dy orësh ata u neutralizuan dhe u vunë në pranga dhe nga hetimet rezultoi së në bashkëpunim me njëri tjetrin kishin kryer grabitje në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe Klos.

“Qarkullonin me një automjet të vjedhur, kapen në flagrancë me kokainë dhe armë të ftohtë në automjet dhe vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si bashkëpunëtorë për vjedhje të ndryshme në disa qytete.

Kapja e tyre, pas rreth 2 orësh ndjekje nga Policia, sepse drejtuesi i automjetit (shtetas në kërkim) nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar por në tentativë për t’u larguar përplasi një automjet policie.

Sekuestrohen automjeti i vjedhur, lënda narkotike dhe arma e ftohtë (thikë).

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me ata të Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Nr. 4, pas informacionit të marrë për një automjet të vjedhur në Elbasan kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Drejtuesi i automjetit, pasi ka parë Policinë, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe në Babrru ka përplasur një automjet të Policisë, brenda të cilit ishin 2 punonjës police. Nga përplasja, janë dëmtuar lehtë 2 punonjësit e Policisë.

2 shtetasit që qarkullonin me automjetin e vjedhur janë neutralizuar dhe vënë në pranga nga punonjësit e Policisë.

Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një armë të ftohtë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Z., 50 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për disa vjedhje; E. T., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Z., në bashkëpunim me shtetasin E. T., gjatë periudhës shkurt-prill 2025, ka kryer vjedhje të ndryshme në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe Klos. Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime tjera.