Pëllumb Gjoka tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar në dosjen “Metamorfoza”! Avokati: Vendimi për SKY ECC nuk ishte i qartë
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, një nga personazhet kryesorë në dosjen e bujshme “Metamorfoza”, ka vendosur të tërhiqet nga kërkesa për përfitimin e gjykimit të shkurtuar.
Ky vendim vjen në një moment kyç të procesit, ndërsa SPAK ka ngritur akuza të rënda për veprimtari të paligjshme, të mbështetura kryesisht mbi provat e siguruara përmes aplikacionit të koduar të komunikimit SKY ECC.
Sipas avokatit të Gjokës, ndarja e çështjes dhe mënyra e administrimit të provave po krijon një dëm të drejtëpërdrejtë për klientin e tij. Ai shprehu zhgënjimin për mënyrën si Gjykata Kushtetuese trajtoi çështjen e vlefshmërisë së provave të marra përmes SKY ECC.
“Patëm pritshmëri që Gjykata Kushtetuese të deklaronte të pavlefshme provat e marra nga komunikimet në SKY ECC, por për fat të keq kemi një vendim ‘as mish, as peshk’,” deklaroi avokati i Gjokës.