SPAK zbardh sulmin ndaj agjentëve të BKH dhe forcave operacionale, të përfshirë nipërit e Agron Kapllanajt
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur zyrtarisht ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së martës, më 15 prill, në aksin rrugor Fier–Patos, ku hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe efektivë të Policisë së Shtetit u sulmuan gjatë kryerjes së një operacioni hetimor. Autorët e dyshuar të sulmit janë dy nipërit e Agron Kapllanajt, kandidat për deputet me partinë “Djathas 1912”, dhe një person tjetër i përfshirë në incident.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetuesit dhe oficerët po vepronin në kuadër të një hetimi të deleguar nga Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në momentin që po kryenin detyrën e tyre, ata u sulmuan pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe të shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.
Njoftimi i SPAK:
Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.
Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.