Kurti flet pas dështimit të konstituimit të Kuvendit: Dhamë dorëheqje, më shumë do të ishte braktisje e institucioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, duke deklaruar se ai dhe kabineti i tij kanë dhënë dorëheqjen, por çdo hap më tej do të konsiderohej braktisje e institucioneve. Sipas Kurtit, thirrjet e opozitës që ai të mos shkojë në zyrë janë në fakt thirrje për pezullimin e shtetit.

“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve. Ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Ne jemi në detyrë dhe i dorëhequr efektivisht që nga 23 marsi kur e kemi përmbyllur mandatin e rregullt dhe të plotë 4-vjeçar. Nga ajo ditë e deri te legjislatura e re qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi.  

Më shumë se kaq, nuk është e mundshme të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucioneve”, tha Kurti.

Ai gjithashtu tha se “i siguroj qytetarët që përtej zhurmës institucionale e disa mediave të ish-regjimit dhe të oligarkëve, e që kanë shkuar aq larg sa që e kanë regjistruar biznesin në Serbi, Republika e Kosovës po ecën përpara në ekonomi e demokraci me rend e siguri e paqe për të gjithë.”