Drejtuesja e E-Albania: 49 milionë shërbime online deri më sot, së shpejti akses edhe nga personat me aftësi të kufizuar

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është institucioni palë dhe promotor në qasjen e qeverisë shqiptare për digjitalizimin e shërbimeve publike, dhe platforma e-Albania qëndron si një gur themeli në këtë proces modernizimi.

Drejtuesja e portalit qeveritar e-Albania, Nevila Repishti në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare shprehet se aktualisht ofrohen 1253 shërbime publike elektronikisht, ose 95% e shërbimeve publike të institucioneve qendrore, të aksesueshme me një klikim të vetëm duke ofruar shërbime për mbi 3,3 milionë qytetarë dhe biznese.

“e-Albania ka revolucionarizuar mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike 24/7 pa kosto, pa radhë dhe pa kontakt fizik me punonjësit e administratës. Ky rrugëtim transformues filloi në vitin 2013, i nxitur nga vizioni i qeverisë për të eliminuar joefikasitetin e qeverisjes tradicionale”, cilëson ajo.

Sipas Repishtit, nga vetëm 14 shërbime online, Shqipëria ka arritur tashmë një normë digjitalizimi prej 95%, falë nismave si legjitimimi i vulës elektronike në 2017 dhe ndërveprimi që mundëson komunikimin në kohë reale midis 63 sistemeve elektronike falë Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.

“e-Albania shërben si një dëshmi se si teknologjia ka revolucionarizuar aksesin në shërbimet qeveritare, duke përfituar qytetarët dhe bizneset në të gjithë territorin”, shprehet ajo.

Drejtuesja e platformës e-Albania pohon për ATSH-në, se në vitin 2013-të ky proces nisi me 14 shërbime elektronike, 50.000 të regjistruar, 51.000 shërbime publike të marra në e-Albania, 6 sisteme elektronike të ndërlidhura në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit dhe 683,207 transaksione në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.

“Sot janë 1,253 shërbime publike online, 3,3 milionë të regjistruar, 49 milionë shërbime publike të marra nëpërmjet e-Albania, 40 milionë dokumente me vule elektronike të gjeneruar, 63 sisteme elektronike të ndërlidhura në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, 69% e të dhënave në formularët elektronikë të shërbimeve në e-Albania parambushen automatikisht nga ndërveprimi në kohë reale dhe 1.469.983.000 transaksione në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit që nga 2013”, deklaron Repishti për ATSH.

Sipas Repishtit, administrata publike ka ndryshuar thelbësisht që prej janarit 2020, ku dokumentet dhe vërtetimet nuk kërkohen më nga bizneset, pasi ato sigurohen nga vetë administrata përmes sistemit elektronik të dedikuar SQDNE.

”590.000 dokumente janë shkëmbyer midis institucioneve nëpërmjet këtij sistemi elektronik. Janë 220 lloje dokumentesh që sigurohen nga nëpunësit e Administratës përmes Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik (SQDNE). Aktualisht, janë 186 institucione dhe mbi 7000 përdorues të konfiguruar për gjenerimin e dokumenteve me vulë elektronike dhe marrjen e dokumenteve shoqëruese për plotësimin e dosjes së aplikantëve”, thotë ajo.

“Që nga maji 2022, të gjitha dokumentet për shërbimet publike lëshohen në mënyrë elektronike, me vulë apo nënshkrim elektronik, duke shmangur kontaktin fizik dhe duke reduktuar mundësitë për korrupsion, si dhe duke rritur transparencën”, pohon drejtuesja e e-Albania-s.

Teksa 95% e shërbimeve publike tashmë janë online, e-Albania 2.0 është një projekt që pritet të realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore për të sjellë shërbime më të avancuara për qytetarët dhe bizneset.

Kjo platformë e bazuar në modelin “life events” dhe teknologjitë më të fundit, sipas Repishtit, do të ofrojë shërbime më të thjeshta për të gjithë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, gjithashtu edhe me ndihmën e asistentit virtual në versionin e tij 2.0.

“Do të prezantohen edhe shërbimet elektronike proaktive për të rritur shpejtësinë, cilësinë dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimeve publike online. Nga ana tjetër, po punohet për ridizenjimin e portalit e-Albania dhe aplikacionit mobile me qasjen “mobile by default” duke qenë se gjithmonë e më shumë përdorues po e aksesojnë portalin nga smartphone-et e tyre”, pohon Repishti.

Drejtuesja e platformës e-Albania pohon se së shpejti “do të integrohen standardet ndërkombëtare të aksesueshmerisë për personat me aftësi të kufizuar që portali të jetë lehtësisht i përdorshëm prej tyre”.

“Gjithashtu, do të bëhet upgrade infrastruktura bazë e shërbimeve elektronike dhe Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, në të cilën vetëm vitin e kaluar u regjistruan 297 milionë transaksione”, deklaron Repishti në intervistën për ATSH.