Tronditet Athina! Shpërthen bombë në zyrat e kompanisë së trenave – Alarm pas një telefonate: Nuk është shaka, do shpërthejë pas 40 minutash

Një bombë ka shpërthyer mbrëmjen e së premtes jashtë zyrave të kompanisë hekurudhore greke “Hellenic Train”, në bulevardin Syngrou të Athinës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, pas një telefonate anonime të bërë në orën 20:53, ku një person paralajmëroi për vendosjen e një bombe dhe theksoi se “nuk është një shaka”, duke dhënë një afat prej 35-40 minutash.

Sipas informacioneve të para, mjeti shpërthyes ishte me lidhje dhe fuqi ende të panjohur, ndërsa raportohet se nuk ishte shumë i fuqishëm. Megjithatë, alarmi ishte i lartë, pasi mënyra e vendosjes dhe elementi i përdorur – një çantë shpine me dry, ngjason shumë me një rast të mëparshëm të një bombe në Ministrinë e Punës vitin e kaluar.

Në vendngjarje, njësitë antieksplozivë kanë konstatuar një motor pa targa, mbi të cilin ishte vendosur një çantë me përmbajtje të dyshimtë. Zona u rrethua menjëherë dhe bulevardi Syngrou u mbyll për qarkullimin nga segmenti Athanasiou Diakou deri në rrugën Kallirrois.

Ekspertët kriminalistikë janë në vend për të mbledhur prova, ndërsa po hetohet nëse mekanizmi ishte vendosur në çantën e motorit apo në pjesën e jashtme të tij. Nuk raportohet për të lënduar, por autoritetet nuk përjashtojnë pistën e një akti kërcënues apo hakmarrjeje të mundshme, ndoshta të lidhur me aksidentin fatal hekurudhor në Tempi, ku humbën jetën dhjetëra persona.