Aksidenti tragjik me helikopter në lumin Hudson, reagon Trump: Pamjet janë të tmerrshme, po punojmë për të…
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas aksidentit tragjik me helikopter në lumin Hudson, ku humbën jetën gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet dhe miqtë e viktimave.
“Aksident i tmerrshëm me helikopter në lumin Hudson. Duket se gjashtë persona – piloti, dy të rritur dhe tre fëmijë – nuk janë më mes nesh. Pamjet e aksidentit janë të tmerrshme. Zoti i bekoftë familjet dhe miqtë e viktimave,” shkroi Trump.
Ai gjithashtu konfirmoi se Sekretari i Transportit, Sean Duffy, po punon me ekipin e tij për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. “Njoftime për atë që ndodhi dhe si ndodhi do të jepen së shpejti,” tha Trump.
Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë mbi shkaqet e aksidentit, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë punën në vendngjarje për të siguruar informacion të mëtejshëm.