I dënuari i parë për gjenocidin në Srebrenicë transferohet në një burg në Estoni
Radisllav Kërstiq, ish-komandant i korpusit Drina të Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me 35 vjet burgim për gjenocidin në Srebrenicë, do të vazhdojë të vuajë dënimin në Estoni, ka njoftuar Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale. Kërstiq, i cili është personi i parë i dënuar për gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë, ka kaluar më parë në burgje të tjera si në Britani dhe Poloni, ku është sulmuar dhe ka pësuar lëndime.
Pas kthimit të tij në Hagë, qeveria estoneze shprehu gatishmërinë për ta marrë për të vazhduar vuajtjen e dënimit, i cili përfundon në 2033. Kërstiq ka kërkuar falje dhe lirim të parakohshëm, por kërkesat e tij janë refuzuar. Ai ka pranuar përgjegjësinë për krimet dhe ka shprehur dëshirën për të kërkuar falje për viktimat, nëse lirohet një ditë.
Gjenocidi i Srebrenicës, ku forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë, ka sjellë dënime të shumta për krime lufte, përfshirë edhe ata të liderëve të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm.