Erjon Alibej reagoi ndaj akuzave për lidhje intime me gruan e Kilës: Kthejeni gishtin nga vetja
Erjon Alibej, një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, ka reaguar ashpër ndaj mediave në seancën gjyqësore të “Plumbit të Artë”. Gjatë seancës, Alibej u shpreh se mediat kanë prekur atë dhe familjen e tij në moral, duke theksuar se nëse akuzat do të vazhdojnë, ai do të kërkojë që në seancat e ardhshme të jetë i pranishëm ose ai, ose gazetarët që i kanë raportuar këto ngjarje.
Alibej u shpreh: I sugjeroj gazetarëve të kthejnë gishtin nga vetja përpara se të flasin për të tjerët. Jemi pak të shqetësuar për këtë situatë. Në rast se do të përsëritet, do të ketë vetëm një zgjidhje, ose unë, ose ata në seancë.” Ai shtoi se nuk ka problem me praninë e mediave, por kërkoi kujdes dhe përgjegjësi në raportimet që bëjnë.
Në seancën e 8 prillit, i pandehuri Xhulian Hoxha kishte përmendur një atentat të planifikuar ndaj Elton Kilës, i njohur si Oti i Elbasanit. Hoxha pretendoi se motivi i vrasjes ishte një lidhje intime mes bashkëshortes së Alibejt dhe Kastriot Kilës, i njohur ndryshe si Olt Kila. Ai akuzoi Alibej si financues dhe organizator të vrasjes, duke kundërshtuar versionin e Nuredin Dumanit që përfshinte Suel Çelën.
Seanca e ardhshme gjyqësore është shtyrë për të martën në orën 10:00 për shkak të mungesës së dy mbrojtësve ligjorë, ndërsa Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit deri në seancën e ardhshme.