Kaja Kallas në Tiranë: Anëtarësimi në BE kërkon bashkëpunimin e të gjitha palëve politike – Duhen reforma të vështira
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë politik për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Ajo vlerësoi mbështetjen që qytetarët shqiptarë i japin këtij procesi, por nënvizoi se reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE nuk janë të lehta.
“Unë vij nga një vend që e ka kryer udhëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe tashmë është anëtarësuar. Për të arritur anëtarësimin, duhet bashkëpunimi i të gjitha palëve politike. Janë shumë reforma të vështira që kërkojnë përkrahje të plotë,” u shpreh Kallas.
Sipas saj, Shqipëria ka një avantazh të madh për faktin se shumica e qytetarëve janë pro integrimit evropian. “Kjo është një gjë që shqiptarët duan ta arrijnë. Për këtë duhen reforma të vështira dhe përkushtim i vazhdueshëm,” shtoi zyrtarja e lartë e BE-së.
Vizita e saj në Tiranë vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet Shqipëri–BE, ku integrimi mbetet një nga prioritetet kryesore të agjendës politike kombëtare.