“O kriminel, o mafioz, o qen bir qeni”/ Rama i përgjigjet komentuesit: A do kërkojë mandat të pestë nëse Shqipëria nuk hyn në BE deri në 2029?
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një pyetjeje të drejtpërdrejtë nga një komentues gjatë rubrikës së tij “Sy m’sy”, ku zhvillon një bashkëbisedim virtual me qytetarët çdo të martë dhe të enjte.
Një ndjekës e pyeti: “Nëse fitoni mandatin e katërt dhe Shqipëria nuk hyn në BE deri në vitin 2029, kur juve ju përfundon mandati, a do të kërkoni një mandat të pestë?” – duke e shoqëruar komentin edhe me një buzëqeshje të gajasur.
Rama, me një ton të qetë, por duke mos i kursyer ironinë, u përgjigj:
“Dritan, unë nuk jam këtu të bëj humor, edhe pse bëj dhe kjo i bezdis kundërshtarët e mi. Më vjen keq, por nuk bëj dot ndryshe. Unë nuk shaj, nuk ngre e ul njerëzit, ‘o kriminel, o mafioz, o qen bir qeni’. Më pëlqen të përdor satirën.”
Ai iu referua edhe një episodi të fundit ku kishte shpërndarë një video të realizuar nga të rinj që kishte formën e një teatri kukullash, që sipas tij kishte qëllim mesazhin, por që ishte sulmuar nga opozita:
“Para disa ditësh postova një episod të një krijimi të disa të rinjve, që ma dërguan me dëshirën që ta postoja. Ishte një teatër kukullash i lezetshëm sipas meje, për të dhënë një mesazh, dhe është sulmuar faqja nga deputetët e subjektit të ri politik, me mendje të vjetër që nuk janë në mendje të kuptojnë satirën.”
Në fund, Rama theksoi se kush nuk përballon dot këtë lloj qasjeje nuk duhet të merret me politikë.