Garë e pabarabartë në zgjedhje me Ilir Metën në burg? Ja si përgjigjet kreu i misionit të OSBE në Tiranë
Kreu i misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, Lamberto Zannier, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, si dhe me zyrtarë të tjerë të kësaj force politike. Gjatë takimit, Zannier u pyet nëse mbajtja në burg e Ilir Metës ndikon në barazinë e garës zgjedhore të 11 majit.
Në përgjigjen e tij, Zannier theksoi se nuk mund të japë një opinion mbi këtë çështje pasi kishte sapo mbërritur në Shqipëri, por theksoi mbështetjen për institucionet e vendit dhe shtetin e së drejtës. Ai shtoi se mbështesin aplikimin e ligjit në mënyrë të pa-politizuar dhe pas vendimeve të institucioneve të vendit.
Nga ana e tij, Tedi Blushi e ka denoncuar këtë situatë, duke e quajtur një cenim të fushatës zgjedhore dhe të drejtave të Partisë së Lirisë. Blushi kërkoi nga OSBE-ODIHR zgjedhje të lira, të ndershme dhe të drejta, duke theksuar se arrestimi dhe burgosja e Ilir Metës ka ndodhur për të penguar fushatën e tij zgjedhore dhe për ta izoluar atë nga votuesit. Ai gjithashtu ka denoncuar përdorimin e administratës dhe aseteve të shtetit nga qeveria për përfitime politike, duke kërkuar që këto veprime të hetohen nga institucioni ndërkombëtar.
Blushi u shpreh i bindur se koalicioni i Partisë së Lirisë do të arrijë një fitore të madhe më 11 maj dhe programi i tyre do të marrë mbështetje masive nga populli.